Në kabinetin tim, sot mirëprita kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, njëherit Deputet Popullor, z. Shaip Kamberi.
Nga z. Kamberi mora urimet e tij të përzemërta për zgjedhjen time në pozitën e Kryetares së Komunës.
Në detyrat tona, mua si kryetare e Komunës, e z. Kamberi si deputet, na pret angazhim i madh.
E ky angazhim, në betejën tonë të përbashkët kundër shtypjes dhe shkeljes së të drejtave të Shqiptarëve, mund të ketë sukses vetëm kur bashkohen forcat.
Me këtë rast, diskutuam bashkarisht për koordinimin mes pushtetit lokal dhe Deputetit Kamberi, si zëri përfaqësues i shqiptarëve në Parlament.
Duke ndërprerë kështu një praktikë tejet të dëmshme në të kaluarën jo të largët, e duke u rikthyer kështu nga kursi i nënshtrimit dhe politikave konformiste, në kursin e rezistencës për interesat tona të përbashkëta.
Po bëhen 22 vite nga fillimi i betejës politike për integrimin e shqiptarëve e 11 vite nga hartimi e aprovimi i Planit 7 pikësh.
Shqiptarët po vazhdojnë të mbeten pakica më e shkelur, më e shtypur e më e diskriminuar në vend.
Përtej përpjekjeve institucionale e lobimit ndërkombëtarë, përtej angazhimit për të ruajtuar identitetin e dinjitetin, shqiptarët po hasin në dyer të mbyllura e veshë të shurdhër.
Shteti dhe qeveritë në Beograd nuk kanë as vullnet e as plan për të përmirësuar pozitën tonë.
Prandaj, ka ardhë koha të ngrisim zërin.
Prandaj duhet të protestojmë.
Të gjithë bashkë, pa dallim. Si shqiptarë të diskriminuar.
Këtë më së miri e dëshmon përzgjedhja e dy gjyqtareve të nacionalitetit serb dhe refuzimi i dy kandidateve shqiptare në konkursin e fundit për gjykatës në Gjykatën Themelore në Bujanoc.
Kjo nuk është vetëm shkelje e të drejtave të pakicave kombëtare, por njëkohësisht është edhe shkelje e të drejtave të njeriut. E poashtu është në kundërshtim të plotë me parimet e barabarësisë dhe shkelje e ligjit.
Ky veprim i Këshillit të Lartë të Gjyqësisë, qartësisht i futur nën tutelën e qeverisjes autokratike të partisë shtet, SNS, sikur gati të gjitha institucionet tjera shtetërore, do të duhej të ishte këmbanë alarmi jo vetëm për përfaqësuesit politik e institucional shqiptar të Luginës së Preshevës.
Kjo do të duhej të ishte edhe sinjal i qartë për institucionet ndërkombëtare se deri në çfarë mase është e gatshme SNS dhe Aleksandar Vuçiq të vazhdoj, duke shkelur çdo të drejtë elementare të të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
Të pyetuar të DW, disa deputetë në Bundestagun gjerman dhe Ministria e Jashtme shprehën shqetësime mbi praktikën e pasivizimit nga autoritetet serbe kundër pakicës shqiptare në jug të Serbisë.
Në një përgjigje për DW, Ministria e Jashtme gjermane ka shprehur shqetësimet e saj për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.në jug të Serbisë: “Fenomeni i të ashtuquajturit ‘pasivizim’ përshkruan masa që pengojnë qasjen e shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë në shërbimet publike. Të prekurve u vështirësohet regjistrimi në vendbanime ose në marrjen e një letërnjoftimi. Shpesh raportohen raste ku organet i çregjistrojnë banorët, pas kontrolleve të bëra enkas, kur ata janë me pushime, në udhëtime, ose nuk janë në banesë për disa ditë. Riregjistrimi ka pengesa të mëdha. Kjo bën që të zvogëlohet numri i anëtarëve të pakicës që janë të regjistruar,” thuhet në përgjigje.
Në kundërshtim me obligimet ligjore
Ministria e Jashtme gjermane kujton se kjo tendencë bie ndesh me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave: “Këto të drejta janë të garantuara si me Kushtetutë dhe me Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare. Veç kësaj, Serbia ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Tendenca e ‘pasivizimit’ të popullsisë shqiptare etnike në jug të Serbisë është në kundërshtim me këto obligime ligjore.”
Ministria e Jashtme dhe Ambasada në Beograd janë në kontakt të rregullt me përfaqësuesit e pakicës shqiptare, bëhet e ditur nga MPJ e Gjermanisë. Edhe Këshilli i Evropës e monitoron situatën e pakicës shqiptare në jug të Serbisë. Komisioni Evropian ka parashikuar në kapitullin negociues me kandidaten e BE-së 23 disa masa për mbrojtjen e pakicës shqiptare, përfshirë një plan veprimi për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Në kuadër të dialogut shoqëror mes qeverisë serbe dhe pakicës shqiptare, janë dakorduar disa masa, ku përfshihet edhe një plan për integrimin e anëtarëve të pakicës shqiptare në sektorin publik dhe në institucionet shtetërore në nivel komunal (2023-2026), sqaron MPJ gjermane. “Zbatimi i këtyre planeve kërkon ende një monitorim të saktë nga BE dhe Këshilli i Evropës.”
Situata e shqiptarëve në jug të Serbisë kërkon më shumë vëmendje
Sipas një studimi të Institutit Max-Planck nga viti 2023, në vitet e fundit mijëra shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë fshirë nga regjistrat pa dëshirën e tyre. Riregjistrimi është shumë i komplikuar. Disa kanë paraqitur tani padi kushtetuese.
Kohët e fundit, një delegacion i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës ishte në Gjermani, i udhëhequr nga Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në parlamentin serb, për të tërhequr vëmendjen e Berlinit për situatën e shqiptarëve në jug të Serbisë.
Knut Abraham (CDU/CSU) i tha DW se informacionet janë “shqetësuese”: “Kjo përfshin situatën ekonomike, por edhe fshirjen e adresave nga regjistrat e votuesve, në të cilat dyshohet se janë të përfshira autoritetet shtetërore,” tha Abraham, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit të Evropës. Politikani i FDP-së, Thomas Hacker, i tha DW -së se situata e pakicës shqiptare në Serbi “meriton më shumë vëmendje ndërkombëtare”. Aktualisht, fokusi është shumë i përqendruar në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo bën që çështje të tjera po aq të rëndësishme të mbeten në hije.” Për më tepër, Hacker theksoi se “procesi i pasivizimit duket si një proces gradual i heqjes së të drejtave.” Serbia duhet të zbatojë planin e veprimit për përfaqësimin më të mirë të pakicës shqiptare në institucionet lokale: “Serbia është angazhuar për këtë dhe duhet të përmbushë detyrimet,” tha Hacker. Ai shtoi se duhet gjetur një zgjidhje edhe për të rinjtë që kanë përfunduar studimet në Prishtinë: “Sukseset e Procesit të Berlinit duhet të vlejnë edhe për pakicat në Serbi,” tha politikani.
Në kuadër të Procesit të Berlinit gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – kanë nënshkruar ndër të tjera një marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve profesionale. Serbia e ka dërguar marrëveshjen në parlament, por ende nuk e ka ratifikuar plotësisht. Kosova dhe Shqipëria ishin të parat që e ratifikuan.
Sipas raportit të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), i publikuar në ciklin e gjashtë të monitorimit, përfaqësimi i shqiptarëve në sektorin publik të Serbisë është minimal dhe urgjent duhet të adresohet.
Vetëm 30% e forcës policore dhe nivelet e ulëta të përfaqësimit me 13% në gjyqësor, 9% në prokurori dhe vetëm 2% në institucionet tjera publike si mospërputhje thelbësore. Problematika e “pasivizimit” të rezidencave gjithashtu ka ndikim të rëndësishëm në komunitetin shqiptar, duke privuar individët nga të drejtat e tyre themelore si votimi dhe identifikimi.
ECRI rekomandon masat konkrete për të adresuar këto sfida, duke përfshirë fushata rekrutimi dhe programe mentorimi për të rritur përfaqësimin dhe mundësitë e karrierës për shqiptarët. Për çështjen e “pasivizimit”, raporti propozon ndihmë ligjore për individët e prekur dhe kërkon transparencë dhe përgjegjësi nga autoritetet serbe.
Këto rekomandime synojnë të sigurojnë integrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe barazisë së mundësive.
Me rastin e shënimit të 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, pata nderin të jem pjesëmarrëse në këtë ngjarje të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky shënim, që përkujton një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, pati një rëndësi të veçantë këtë vit. Ndër të pranishmit ishte edhe Lugina e Preshevës, duke nënvizuar kështu rëndësinë e bashkimit dhe solidaritetit kombëtar.
U përkujtua me përuljen më të madhe vepra e çdonjërit që i dhanë bazë themelimit të shtetit shqiptar. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, të gjithë së bashku u bashkuam për të nderuar dhe vlerësuar sakrificat dhe përkushtimin e rilindasve tanë, të atyre që patën vizionin sa të qartë aq edhe jetik për të ardhmen e shqiptarëve.
Sonte pata kënaqësinë të jem pjesë e publikut në shfaqjen teatrore “Qeni i Baskërvilëve” në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë.
Nën regjinë e jashtëzakonshme të Kastriot Saqipi dhe Jon Saqipi, dhe me interpretimet brilante të aktorëve Djellza Dema, Blerina Veseli dhe Bleron Hevziu, kjo shfaqje solli magjinë e teatrit në skenë.
Kultura jonë është e pasur dhe këto talente të reja janë një dëshmi e gjallë e asaj se sa shumë mund të arrijmë kur mbështesim artin dhe artistët tanë.
Me mendje te kultura dhe me zemër për të inkurajuar aktorët e rinj, ju ftoj të gjithëve të mbështesim dhe të ndjekim më shumë shfaqje të tilla.