Këshilli Qendror i Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë, ka shqyrtuar situatën aktuale politike dhe ka vendosur që PVD të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.
Përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvendin e Republikës së Serbisë mbetet i domosdoshëm për ngritjen e zërit kundër diskriminimit, mbrojtjen e të drejtave dhe paraqitjen e kërkesave të tyre politike e institucionale. Mungesa e vullnetit politik në Beograd për trajtim të barabartë të shqiptarëve e bën edhe më të nevojshëm një përfaqësim të fuqishëm dhe të qëndrueshëm.Në këtë kuadër, Këshilli Qendror ka kandiduar kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, për një mandat të ri deputeti në Kuvendin e Republikës së Serbisë.PVD mbetet e përkushtuar ndaj bashkërendimit me faktorin kombëtar shqiptar dhe bashkëpunimit me subjektet politike shqiptare në Luginën e Preshevës, me synim avancimin e pozitës dhe të drejtave të shqiptarëve.Për PVD-në, përpjekjet për një listë të përbashkët zgjedhore duhet të mbështeten në dakordimin për një platformë të përbashkët politike, me prioritete të qarta dhe angazhime konkrete që vlejnë edhe pas zgjedhjeve. Kjo platformë duhet të përfshijë ndalimin e pasivizimit diskriminues të adresave, përfaqësimin e drejtë në institucionet publike, njohjen e diplomave, garantimin e arsimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe – simboleve kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe zbatimin e marrëveshjeve për Luginën e Preshevës.Bashkëpunimi kërkon edhe një mekanizëm të rregullt koordinimi ndërmjet përfaqësuesve politikë shqiptarë, për të ndjekur realizimin e këtyre objektivave dhe për t’u dhënë llogari qytetarëve për angazhimet e marra.Për PVD-në është e qartë se bashkimi politik duhet të ndërtohet mbi parime, përgjegjësi dhe interesin e përbashkët. Ai kërkon qëndrime të qarta dhe të qëndrueshme kundër diskriminimit, si dhe vendosjen e të drejtave të shqiptarëve mbi kalkulimet për poste, mandate, interesa individuale apo dualizma qëndrimesh. Sot, më shumë se kurrë, PVD i fton të gjithë për përgjegjësi politike, unitet dhe vizion të përbashkët. Shqiptarët duhet të bashkohen rreth çështjeve që i prekin drejtpërdrejt, rreth një platforme të përbashkët politike dhe rreth synimit për të ndërtuar një përfaqësim politik që do të jetë në gjendje t’i mbrojë dhe avancojë interesat e tyre jo vetëm para institucioneve të Republikës së Serbisë por edhe në procesin e bashkëpunimit me faktorët relevant ndërkombëtarë.Këshilli Qendror i Partisë për Veprim Demokratik