Ndërlidhja mes gjashtë fushave. Varfërimi e moszhvillimi, pengesat në arsim dhe mosnjohje e diplomave, mospërfaqësim dhe përjashtim institiucuonal si qëllim i mospërkatësisë. Ndjejma e pasigurisë, vështirësimi i realizimit të të drejtave të siguruara, e pasivizimi si hallka e fundit që qëllim përfundimtar ka zbrazjen e Luginës nga shqiptarët. Për një shqiptar në Luginën e Preshevës, vendimi për t’u larguar shpesh fillon shumë kohë para se ta marrë rrugën. Fillon kur nuk gjen punë, kur diploma nuk i njihet, kur përgatitja profesionale nuk i hap dyert e institucioneve dhe kur për të drejtat më të zakonshme duhet të përballet vazhdimisht me pengesa. Me kalimin e viteve, këto vështirësi grumbullohen. Prekin të ardhurat e familjes, shkollimin e fëmijëve, sigurinë dhe besimin se në vendlindje mund të ndërtohet një e ardhme. Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, gjashtë fusha të diskriminimit dhe përjashtimit ndërthuren në të njëjtën jetë, duke e bërë qëndrimin gjithnjë më të vështirë. Varfërimi dhe moszhvillimi ekonomik i Preshevës dhe Bujanocit janë pika nga e cila nis një pjesë e madhe e kësaj përballjeje. Të dyja janë ndër komunat më pak të zhvilluara të Serbisë. Edhe sipas pagave, në dhjetor 2025 ndodheshin ndër dhjetë komunat me pagat më të ulëta: Presheva në fund të renditjes, ndërsa Bujanoci i katërti nga fundi. Në atë muaj, paga mesatare neto ishte 78.411 dinarë (670 euro) në Preshevë dhe 85.445 (730 euro) në Bujanoc, kundrejt 109.462 dinarëve (rreth 936 euro) në nivel të Serbisë. Pra, edhe për ata që punojnë, paga mesatare në Preshevë ishte rreth 32,5% më e ulët, ndërsa në Bujanoc rreth 27,5% më e ulët se mesatarja shtetërore. Me këto të ardhura duhen përballuar të njëjtat nevoja familjare, shkollimi dhe kujdesi shëndetësor. Edhe në Surdulicë, komunën fqinje të përbërë nga shumica absolute nga etniteti serb. paga mesatare ishte rreth 21% më e lartë se në Preshevë dhe 11% më e lartë se në Bujanoc. Dallimi shihet edhe në financimin bazë të komunave. Sipas përllogaritjeve tona për vitin 2025, transferi i rregullt, i pandryshuar për 12 vite, ishte rreth 11.657 dinarë (100 euro) për banor në Preshevë dhe 9.603 (82 euro) në Bujanoc, kundrejt 14.287 dinarë (122 euro) në Surdulicë dhe 17.908 (153 euro) në komunën fqinje të Medvegjës, komunën Lebanë. Nga ky burim, Lebana kishte rreth 54% më shumë mjete për banor se Presheva dhe 86% më shumë se Bujanoci. Edhe këto komuna kanë probleme zhvillimore. Por dallimet tregojnë se gjendja e Preshevës dhe Bujanocit nuk mund të shpjegohet vetëm me varfërinë e përgjithshme të jugut të Serbisë. Për dallim nga komunat fqinje si Surdulica apo Lebane ku janë sjellë investitor nga shteti, politika shtetërore nuk ka sjellë në Bujanoc e Preshevë investime prodhuese në përmasën që do të krijonte punësim të qëndrueshëm dhe do ta ndryshonte gjendjen ekonomike. Mungesa e punëdhënësve të mëdhenj dhe mundësitë e kufizuara për zhvillimin e bizneseve i lënë familjet të mbështeten te të ardhurat që arrijnë të sigurojnë, shpesh edhe te ndihma e familjarëve nga jashtë vendit. Për të rinjtë, bëhet gjithnjë më e vështirë të shohin një mundësi për ta ndërtuar jetën në vendin e vet. Në këto kushte, arsimi duhej të ishte rruga kryesore për ta ndryshuar gjendjen, por pengesat e ndjekin fëmijën shqiptar që gjatë shkollimit. Mungesa e teksteve mësimore në shqip për shkollat e mesme i detyron nxënësit dhe mësimdhënësit të punojnë me shënime, materiale të pjesshme dhe zgjidhje të përkohshme. Mungesa e një inspektori shqiptar dhe e bashkëpunëtorëve profesionalë shqiptarë në nivelin e inspektoratit të Ministrisë së Arsimit e dobëson mbikëqyrjen e mësimdhënies në shqip. Emrimi arbitrar i drejtorëve nga Ministri, shpesh pa marrë për baze qëndrimin e Këshillit Kombetar Shqiptar apo institucineve lokale, e rëndojnë më tej funksionimin e shkollave. Kësaj i shtohet pengesa për t’i angazhuar të diplomuarit nga Kosova. Shkollat kanë nevojë për kuadro, ndërsa të rinjtë që janë përgatitur për të dhënë mësim mbeten jashtë tyre kur diploma nuk u njihet. Kështu lidhen mes vete dy dëme, dobësohen kushtet për arsim cilësor në shqip dhe pengohet përfshirja e kuadrove që mund të kontribuonin në përmirësimin e tij. Familja përballet njëkohësisht me shqetësimin për shkollimin e fëmijës dhe me pasigurinë nëse ai do të mund të punojë në vendlindje pasi t’i përfundojë studimet. Sipas të dhënave të KKSh-së për vitin 2025, nga 756 studentë shqiptarë aktivë të evidentuar, 419, apo 55,4%, studionin në Kosovë. Pra, për më shumë se gjysmën e të rinjve studentë, mundësia për ta ushtruar profesionin në vendlindje lidhet me njohjen e diplomës nga Kosova. Familja investon vite dhe mjete në shkollim. I riu i përfundon studimet. Por kur diploma nuk i njihet, rruga drejt punësimit në profesion mbetet e mbyllur. Këtë pasojë e ka regjistruar edhe Komiteti Këshillëdhënës i Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, duke evidentuar lidhjen e raportuar mes mosnjohjes së diplomave nga Kosova dhe mungesës së mësuesve shqiptarë. Opinioni për Serbinë, 2025. Komuniteti ka nevojë për profesionistë, ndërsa njerëzit e vet pengohen të kontribuojnë. Shkollimi që duhej të sillte zhvillim në Luginë përfundon duke i shtyrë të rinjtë të largohen drejt vendeve ku mund ta përdorin diplomën. Në anën tjetër, të rinjve që i njihen diplomat e marra nga Shqiperia, Maqedonia e Veriut apo vende tjera, përballen me mospërfaqësimin dhe dezintegrimin e shqiptarëve në institucionet publike republikane në nivel lokal dhe të qarkut. Në tabelën për institucionet shtetërore në nivel lokal, të përfshirë në draftin e integrimit të shtatorit 2022, figurojnë 435 shqiptarë nga 1.694 të punësuar, ose 25,7%. Brenda njësive të evidentuara kishte një shqiptar nga 15 punonjës në kadastër, asnjë nga pesë në fondin pensional dhe pesë nga 60 në sektorin e rrugëve. Sipas evidentimeve qe kemi ngritur në kuadër të KKSh-së, në spitalin e qarkut në Vranjë nuk ka asnjë shqiptar të punësuar, megjithëse aty marrin shërbime edhe shqiptarët e Preshevës dhe Bujanocit. Të njëjtën mungesë e kemi evidentuar edhe në qendrën shëndetësore në Medvegjë. Shqiptarët varen nga institucionet shëndetësore, të sigurisë, drejtësi e administratë, ndërsa përfshirja si profesionistë mbetet e pazgjidhur. Kjo prek mundësinë për punë, komunikimin në shqip dhe besimin e komunitetit karshi institucioneve. Një pjesë e madhe e vendimeve që e prekin jetën e qytetarit merren në struktura ku shqiptarët kanë pak ose aspak prani. Pra, ekonomia lokale ofron pak punë, mosnjohja e diplomave pengon ushtrimin e profesionit, ndërsa mospërfaqësimi institucional e ngushton edhe rrugën drejt punësimit publik. Përpjekja e të riut për t’u shkolluar dhe për të punuar përballet me pengesa të njëpasnjëshme. Këtë gjendje e rëndojnë pasiguria dhe gjuha armiqësore ndaj shqiptarëve. Paraqitja e shqiptarit si kërcënim në pjesë të diskursit politik dhe mediatik në Serbi dëmton besimin se do të trajtohen si qytetarë të barabartë. Prania e tepërt e forcave të sigurisë, ushtria dhe xhandarmëria e përcjellur me një zonë që në diskrusin publik në Serbi nga politika dhe mediat shihet si e pasigurtë nga ana e sigurisë, sjellë ndjenjë pasigurie. Ndërkohë, prania shqiptare në polici është dobësuar vazhdimisht. Raporti ynë evidenton në Bujanoc 107 policë shqiptarë rreth viteve 2010 deri më 2012, kundrejt 56 sipas vlerësimit jozyrtar të dhjetorit 2025. Në Preshevë, shifrat përkatëse janë 125 dhe 88. Në Bujanoc, krahasimi tregon pothuajse përgjysmim. Në anën tjetër rëndesës deri në gjendje te papërballueshme për jetese normale i shtohen edhe pengesat në përdorimin e gjuhës shqipes. në ushtrimin e të drejtave arsimore, kulturore e të informimit. Sipas evidentimit të KKSh-së, të paraqitur te Komisioneri për Barazi në shkurt 2026, vetëm 20 nga 70 institucione të hulumtuara e respektonin përdorimin e gjuhës shqipe sipas ligjit. Të gjitha këto ishin institucione lokale. Për një shqiptar në Luginë, kjo do të thotë të kërkojë ndihmë për një procedurë, të insistojë për një të drejtë dhe të ankohet për një shërbim që duhej ta merrte normalisht. Me kalimin e kohës, edhe gjërat më të zakonshme dhe ato që i takojnë ligjërisht bëhen pjesë e një përballjeje të lodhshme për t’i marre. Edhe mbështetja nga Kosova, që synon t’i lehtësojë disa prej këtyre vështirësive, është përballur me pengesa në transferimin e mjeteve. Rasti i 1,837,511.16 eurove lidhej me një vendim që përfshinte, ndër të tjera, arsim në gjuhën shqipe, kulturë, zhvillim institucional dhe mbështetje të komunitetit shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. . Pas vonesave dhe refuzimeve qëndrojnë fëmijë, familje dhe programe konkrete. Në këtë gjendje, largimi fillon të shihet si zgjidhje për disa probleme njëkohësisht: për punën, për shkollimin e fëmijëve, për sigurinë dhe për një jetë ku të drejtat nuk duhet të kërkohen përditë. Shqiptari Luginas largohet në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut ose në vendet perëndimore për të siguruar jetesën. Shpesh me mendimin se kjo është e përkohshme dhe se do të kthehet. E këtu, pasivizimi i adresës e mbyll rrethin për ata , duke i lënë pa dokumente dhe pa mundësi për ta rregulluar gjendjen. Qytetari mund ta marrë vesh se adresa i është pasivizuar vetëm kur kërkon të pajiset me letërnjoftim ose të ushtrojë një të drejtë. Më pas duhet të kërkojë vendimin, të mbledhë dëshmi dhe të nisë procedura për ta rivendosur adresën, që në shumicën e rasteve nuk mund t’i përmbyllin me vite e mbesin pa asnjë dokument e të drejte. Raporti i YIHR-së e përshkruan qartë vazhdimin e këtyre pasojave: pengesa në marrjen dhe rinovimin e dokumenteve, në votim, pensione, përfitime sociale dhe procedura pronësore. Ai evidenton si veçanërisht të cenueshëm edhe qytetarët që punojnë në Kosovë për shkak të mungesës së mundësive dhe problemit të diplomave. Disa heqin dorë nga procedurat, sepse ato mund të zgjasin me vite. Edhe Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi e ka trajtuar pasivizimin si praktikë masive dhe selektive, duke e cilësuar në raportin e vitit 2021 si një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative. Organizata evidenton se janë prekur edhe persona që jetojnë në adresat e tyre. Për personin që mbetet pa adresë aktive, pa dokumente dhe pa zgjidhje efektive, pasivizimi e pamundëson në praktikë rikthimin dhe vazhdimin e jetesës në Luginë. Shtetësia dhe pronësia i merren dalëngadal, shumicën e rasteve në pamundësi për t’u rikthyer. Ndërkohë, familja duhet të jetojë. Fëmijët fillojnë shkollën diku tjetër, prindërit gjejnë punë dhe vitet kalojnë. Largimi i përkohshëm bëhet jetë e përhershme e me dokumente të marra në Luginë, deri në të drejtën e votës, të drejtës pronësore apo qasjes në shërbime, duke mos ekzistuar më si shqiptar në Luginë. Kjo është ndërlidhja mes gjashtë fushave. Varfëria ngushton mundësitë. Pengesat në arsim dhe diploma dobësojnë perspektivën profesionale. Mospërfaqësimi kufizon punësimin dhe pjesëmarrjen në institucione, ndjenjën e përkatësisë. Pasiguria dhe vështirësimi i të drejtave e rëndojnë jetesën. Pasivizimi ua bllokon kthimin të atyre që janë duke punuar dhe u angazhuar përkohësisht jashtë kufijve, qoftë edhe vetëm për punë brenda ditës. Pa mundësi reale për arsim, punë, siguri dhe ushtrim të të drejtave, qëndrimi bëhet gjithnjë më i vështirë. E Lugina vazhdon t’i humbë pikërisht njerëzit që i duhen për të jetuar dhe për t’u zhvilluar.