Deputeti Shaip Kamberi ka marrë pjesë në dy takime të ndara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kongresistët amerikanë Joe Wilson dhe Mike Lawler, gjatë qëndrimit në New York.
Në takimin me Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit amerikan të Helsinkit dhe anëtar i komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura, u diskutua edhe për pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në fokus ishin nënpërfaqësimi në institucione, pasivizimi i adresave, arsimi në shqip dhe njohja e diplomave. Kurti kërkoi që këto çështje të trajtohen edhe në kuadër të Komisionit të Helsinkit, pjesë e takimit ishte edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.
Në një takim tjetër, Kurti dhe Kamberi u takuan me Mike Lawler, anëtar të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar të Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Edhe aty Lugina ishte pjesë e diskutimit, veçanërisht pasivizimi i adresave dhe pasojat e tij në të drejtën e votës dhe dokumentet personale.

Prania e Kamberit në të dy takimet ka mundësuar që çështjet e Luginës t’u paraqiten drejtpërdrejt dy kongresistëve amerikanë nga vetë përfaqësuesi parlamentar i shqiptarëve në Serbi.