Nëse një vendim i tillë ekziston:
a. Në çfarë baze ligjore është marrë?
b. Cili organ shtetëror e ka miratuar një vendim apo udhëzim të tillë?
c. A zbatohen këto masa vetëm ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar apo edhe ndaj këshillave të tjerë kombëtarë të pakicave kombëtare në Republikën e Serbisë?
d. A është vendosur Këshilli Kombëtar Shqiptar në ndonjë listë të brendshme apo zyrtare të kufizimeve ose të mbikëqyrjes së shtuar lidhur me transaksionet financiare?
Veçanërisht theksoj se mjetet janë të destinuara për funksionimin e Këshillit Kombëtar, si dhe për mbështetjen e sektorit civil, mediave lokale, klubeve sportive, studentëve, nxënësve dhe përfituesve të tjerë të programeve që financohen nga këto donacione.
Për hir të opinionit publik, duhet të theksoj se nga kjo bllokadë preken drejtpërdrejt:
• 3560 nxënës të shkollave fillore, të cilët nuk mund të marrin libra falas;
• 700 studentëve u mohohet ndihma e njëhershme;
• 100 kandidatë me diploma universitare nuk mund të fillojnë programin e aftësimit profesional;
• 957 ferma të vogla nuk marrin subvencione;
• 139 organizata të shoqërisë civile;
• 25 akademi sportive;
• 80 organizata kulturore;
• 15 media lokale;
• 13 organizata që merren me të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare;
• 6 organizata për fëmijë me nevoja të veçanta nuk mund të realizojnë projekte të rëndësishme, si dhe edhe 600 persona të tjerë që do të angazhoheshin përmes këtyre projekteve.
Bllokimi afatgjatë i transfereve rrezikon seriozisht realizimin e të drejtave të pakicës kombëtare për vetëqeverisje në fushat e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.
Kjo paraqet një sulm të drejtpërdrejtë ndaj çështjeve ekzistenciale të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë përfituesve të përmendur.
Gjithashtu rikujtoj se Ligji për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare parashikon mundësinë e financimit të këshillave kombëtarë nga donacionet, përveç mjeteve që sigurohen nga buxheti i Republikës së Serbisë.
Duke pasur parasysh rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2022, shqetësuese mbetet edhe fakti që Këshilli Kombëtar Shqiptar vazhdon të financohet sipas parametrave që nuk pasqyrojnë numrin real të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë, përkatësisht sipas parametrave të regjistrimit të vitit 2011, ndërkohë që injorohen parametrat e regjistrimit të vitit 2022.
Kërkoj që për pyetjet e mësipërme të dorëzohet një përgjigje e qartë, e saktë dhe transparente, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, në mënyrë që Këshilli Kombëtar Shqiptar të mund të ndërmarrë hapat e duhur për mbrojtjen e interesave të veta dhe të përfituesve të këtyre donacioneve.