Sot, në seancën e III-të të Kuvendit të Komunës së Bujanocit, kërkova që në rendin e ditës të shtohet si pikë Deklaratën për dënimin e gjuhës së urrejtjes dhe retorikës nxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vučić, gjatë vizitave në Preshevë dhe Bujanoc.

Si përfaqësues i qytetarëve, e kisha obligim moral dhe statutar që të reagoj ndaj përdorimit të termit pezhorativ “Šiptari”, ndaj paralajmërimeve për angazhimin e BIA-s, apo drejtimin e gishtit në drejtim të Tërnocit nga Llopardinca duke thënë “ne brinite”, qasjes segreguese në mjedisin multietnik dhe ndaj qasjes përjashtuese që synon të mbjellë pasiguri mes qytetarëve.

Për fat të keq, shumica në Kuvend vendosi ta refuzojë këtë kërkesë, duke mos e votuar përfshirjen e saj në rend të ditës.

Refuzimi për ta dënuar një retorikë të tillë është mesazh i gabuar. Heshtja institucionale përballë kërcënimeve dhe gjuhës diskriminuese nuk e bën Bujanocin më të sigurt; përkundrazi, e bën atë më të brishtë dhe më të pambrojtur përballë lojërave politike që vijnë nga Beogradi.

Kuvendi duhet të jetë zëri i arsyes dhe i dinjitetit të qytetarëve. Ky institucion duhet të jetë mbrojtës i vlerave demokratike, i barazisë dhe i bashkëjetesës, pavarësisht që sot koalicioni qeverisëse në Bujanoc zgjodhi të heshtë.