Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe miq të Partisë për Veprim Demokratik,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, të dashur qytetarë të Luginës së Preshevës,
Sot është një përvjetor i veçantë, 35 vjetori i themelimit të Partisë për Veprim Demokratik, subjektit të parë politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ky jubile nuk është thjesht një datë në kalendar, është dëshmi e një rruge të gjatë, të vështirë, të lodhshme, me shumë sakrifica, por edhe një rrugë e lavdishme.
PVD lindi në një kohë të errët për shqiptarët në ish-Jugosllavi. U themelua si përgjigje ndaj shtypjes, diskriminimit dhe mohimit të të drejtave kombëtare.
Që nga dita e parë, PVD u bë zë i fuqishëm i shqiptarëve, duke mbrojtur të drejtat tona themelore: të drejtën për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor.
Në këto 35 vjet, PVD ka kaluar nëpër sprova të shumta. U përball me diktaturën e Millosheviqit, me qeveritë diskriminuese të Serbisë dhe me regjimin autoritar të sotëm.
Por pavarësisht çdo presioni e padrejtësie, PVD nuk u tërhoq, nuk u dorëzua. Ajo qëndroi e fortë, sepse qëndresa e saj buronte nga vullneti i popullit tonë.
PVD ka lënë gjurmë në të gjitha nivelet e jetës politike dhe shoqërore: në qeverisjen lokale, në Këshillin Kombëtar, në përfaqësimin parlamentar.
Ajo ka qenë dhe mbetet bartëse e luftës politike e demokratike për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Por sot, në këtë 35 vjetor, nuk mund të mos flasim hapur edhe për sfidat e reja me të cilat përballemi. Autoritarizmi diskriminues në Serbi vazhdon të mohojë të drejtat tona.
Fragmentimi i skenës politike shqiptare ka sjellë defaktorizim dhe dobësim të zërit tonë të përbashkët. Ndërkohë, emigrimi i madh i të rinjve po e zbrazë Luginën dhe po e dëmton trungun tonë shoqëror e politik.
PVD, edhe në këto rrethana, duke ushtruar tre nga katër funksionet më të rëndëshishme në Luginë, mbetet shtëpia politike e shqiptarëve që besojnë në demokraci, në unitet dhe në të ardhmen e Luginës.
Ne jemi të vendosur të ringritim fuqinë tonë politike, të mbrojmë çdo të drejtë të mohuar dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë për gjeneratat që vijnë. Avancimi i raporteve me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë, krahas luftës për të drejta, liri e barazi mbetet ndër prioritetet tona edhe në këtë periudhë.
Të dashur qytetarë,
35 vjet janë një histori e madhe, por edhe një fillim i ri. Sot kemi nevojë për më shumë unitet, për më shumë vizion dhe për më shumë besim tek e ardhmja jonë e përbashkët. PVD do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj rruge, duke punuar me përkushtim për të drejtat tona, për barazinë tonë dhe për dinjitetin tonë kombëtar.
Uroj për këtë jubile të madh për të gjithë ne!