Blog
Sot, Parlamenti Evropian ka bërë një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë!
Përmes një letre zyrtare, të nënshkruar Viola Von Carmon, Rainer Wieland, Michael Gahler dhe Thijs Reuten: kanë kërkuar Qeverisë së Serbisë të respektojë dhe implementojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara që nga Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001, duke siguruar afirmimin dhe mbrojtjen e plotë të të drejtave të minoritetit shqiptar.
Në këtë letër, Parlamenti Evropian i kujton qeverisë serbe se:
Shqiptarët në Luginë vazhdon të përballet me forma të ndryshme diskriminimi, përfshirë ‘pasivizimin’, dhe ka qasje të kufizuar në arsim, punësim dhe kujdes shëndetësor.
Janë renditur pesë çështje kryesore që duhet të adresohen nga Qeveria e Serbisë për të siguruar barazi dhe mosdiskriminim për shqiptarët.
Mos adresimi i këtyre çështjeve rrezikon stabilitetin rajonal dhe rrugën e Serbisë për në BE.
Një falenderim i madh për Qeverinë e Kosovës, në veçanti Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv. Kryeministrin Besnik Bislimin, për mbështetjen e tyre të çmuar dhe vizionin e tyre në proceset lobuese për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar për të siguruar një të ardhme më të mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës!
Tepisoni!
Gjatë rinovimit të sallës së Kuvendit, Komuna e Bujanocit ka paguar 517.140,00 dinarë ose 4.401 euro për tepisonin.
Parët janë pagu. Salla është rinovu. Tepisoni ka humbur.
Nuk është në sallë të kuvendit.

Bashkë me tepisonin kanë humbur edhe 517.140,00 dinarë ose 4.401 euro para të taksapaguesve të Bujanocit.
Ku është tepisoni? Ku janë parët!?
Pushteti i “ndryshimit”!
Gjithmonë kënaqësi ta mirëpresim z.Jetish Jasharin, Ambasador i Republikës së Kosovës në Beograd.
Bisedë mbi bashkëpunimin institucional për vitin 2026 dhe mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Më shumë Kosovë. Më shumë bashkërendim.
Për sa i përket realizimit të të drejtave të pakicave në Republikën e Kosovës dhe të Serbisë, dallimi është substancial në përmbajtje, e drastik në implementim!
Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA miratoi rezolutën H.R. 6411 për të drejtat etnike e kombëtare të shqiptarëve në Luginë.
E iniciuar nga Kongresisti Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë.
Me përkrahje dypartiake.
Me mesazh të qartë për Beogradin.
Kjo është ditë e rëndësishme për shqiptarët e Luginës.
Dhe sinjal se padrejtësia nuk është e përjetshme.
Një betejë e gjatë.
Me durim, këmbëngulje dhe besim.
Me Joe dhe Shirley DioGuardi, Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane,
dhe komunitetin tonë të jashtëzakonshëm, veçanërisht në Texas, përmes Albanians For America.
Sot, SHBA kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Jo me fjalë.
Me vepra.
Me aleancën me Amerikën.
Zëri ynë u dëgjua.
Puna jonë po shihet.
Nuk ndalemi. Nuk dorëzohemi.
Zoti e bekoftë Amerikën.
Zoti e bekoftë popullin shqiptar
Bashkë diskutuam të gjitha çështjet që lidhen me Luginën e Preshevës dhe nevojën për një qasje të përbashkët, programatike dhe sistematike në adresimin drejtë zgjidhjes së tyre.
Nga pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave tek mungesa e teksteve në gjuhën shqipe, përjashtimi i komunitetit shqiptar nga jeta institucionale dhe vazhdimi i mohimit të së drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare, ishin në mes tjerash temat që disktutuam bashkarisht!
Falënderojmë Ministren Spiropali për mikpritjen e ngrohtë e vëllazërore dhe gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm. Poashtu edhe Ambasadën e Shqipërisë në Beograd për koordinimin në adresimin e çështjeve që ne i ngremë, si gjithmonë!
Më shumë Shqipëri dhe Kosovë në Luginë do të thotë më shumë shpresë për shqiptarët e Luginës.
Bashkë jemi më të fortë.
Për më shumë se 25 vjet, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë ndjekur një qasje konstruktive në raport me gjendjen në Luginë. Janë përdorur të gjitha mekanizmat demokratikë: pjesëmarrje në zgjedhje, përfaqësim parlamentar, bile edhekundërvënie me armë, dialog institucional, iniciativa ligjore dhe vazhdimisht kërkesa drejtuar qeverisë. Megjithatë, rezultatet konkrete për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve mbeten minimale.
Kjo përvojë e gjatë tregon se problemi nuk qëndron te mungesa e vullnetit për dialog nga pala shqiptare, por te mungesa e gatishmërisë së shtetit për të adresuar çështjet strukturore të diskriminimit.
Dhe kur përpjekjet e vazhdueshme brenda sistemit nuk prodhojnë ndryshim, ndërkombëtarizimi i çështjes bëhet jo vetëm i arsyeshëm, por i domosdoshëm.
Serbia zyrtarisht deklaron synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, në praktikë ajo po ndjek një politikë ekuilibrimi ndërmjet faktorëve gjeopolitik, duke shmangur përmbushjen e plotë të kritereve evropiane, veçanërisht në fushën e të drejtave të pakicave dhe sundimit të ligjit. Ky pozicion i paqartë strategjik reflektohet drejtpërdrejt në stagnimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave nuk janë çështje vullneti politik, por detyrime të qarta që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Kur këto standarde nuk zbatohen, komunitetet e prekura kanë të drejtë legjitime t’i drejtohen mekanizmave ndërkombëtarë për mbrojtje dhe presion politik.
Narrativa se ndërkombëtarizimi “radikalizon” ose “shkakton konflikt” situatën është e pasaktë dhe e dëmshme. Në fakt, ndërkombëtarizimi është mjet për stabilitet, sepse e vendos çështjen në korniza të qarta ligjore dhe politike, duke parandaluar tensionet që lindin nga padrejtësitë e pazgjidhura. Heshtja dhe “pragmatizmi” që nënkupton mosadresim të problemeve reale nuk kanë sjellë stabilitet- përkundrazi, kanë normalizuar diskriminimin.
Në këtë kontekst, ndërkombëtarizimi i çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës është akt dhe thirrje për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Serbisë. Ai synon të rikthejë besueshmërinë e procesit të dialogut dhe të sigurojë që të drejtat e komunitetit shqiptar të mos mbesin peng i kalkulimeve gjeopolitike.
Pas një çerek shekulli përpjekjesh konstruktive pa rezultate të mjaftueshme, është e qartë se ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga brenda. Ndërkombëtarizimi është rruga e vetme për të krijuar presion real, për të rikthyer barazinë dhe për të garantuar që shqiptarët në Luginën e Preshevës të trajtohen sipas standardeve evropiane që Serbia pretendon se i synon.
Derisa Serbia po ecë drejt BE-së me hapin e breshkës, ndërsa vet BE nuk përdor asnjë nga mekanizmat e saj të presionit për nxitjen e përparimit – sidomos në sferën e mbrojtjes të të drejtave të jeriut dhe pakicave -, edhe pse nuk do të heqim drë nga asnjë nga këto procese, Ligji H.R. 6411 mbetet instrumenti më realistik për të shënuar një kthesë serioze për të mirë
Miratimi i Ligjit HR 6411 dhe qëndrimi i PVD-së
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të degës së PVD-së në Bujanoc, të mbajtur me 30 janar 2026, në të cilën u shqyrtua situata e përgjithshme në këtë komunë, Kuvendi i Degës së Partisë për Veprim Demokratik mirëpret miratimin e Ligjit HR 6411 nga Komiteti për Politikë të Jashtme i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e vlerësuar këtë zhvillim si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj gjendjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ky ligj përfaqëson një avancim të madh, duke zhvendosur çështjen nga niveli deklarativ në kornizë ligjore dhe duke e bërë diskriminimin temë të monitorueshme institucionalisht. Ai gjithashtu e nxjerr Serbinë nga komoditeti i mohimit pa kosto.
Në këtë kontekst, reagimet e institucioneve shtetërore të Serbisë janë të pritshme dhe pasqyrojnë qëndrimin e njohur publikisht, i cili vazhdon të mohojë ekzistencën e diskriminimit strukturor dhe të pabarazisë institucionale në këtë rajon. Për PVD-në është e kuptueshme se në shtetet me prirje autokratike, relativizimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut shpesh realizohet përmes aktorëve jo-institucionalë, pa kredibilitet politik e zgjedhor, politikisht të paraqitur si “zëra të pavarur”.
Ky mekanizëm synon të krijojë përshtypjen se problemi është i brendshëm dhe jo rezultat i politikave shtetërore. PVD e ka të qartë se sulmet e orientuara ndaj saj dhe jo ndaj politikave shtetërore të Serbisë kanë për qëllim shmangien e adresimit të diskriminimit institucional dhe relativizimin e përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e çështjes.
Megjithatë, faktet e dokumentuara nga raporte ndërkombëtare dhe OJQ-të vendore, si dhe përvoja e përditshme e qytetarëve, dëshmojnë për nevojën e adresimit serioz të këtyre çështjeve. Siç vërehet gjithmonë- Serbia reagon sepse çështja është ngritur atje ku duhet. Zhurma është shenjë se puna po jep efekt.
PVD duhet të mbetet e përkushtuar që, përtej polemikave dhe zhurmës publike, të punojë me argumente, fakte dhe partnerë ndërkombëtarë për avancimin e të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Çështja e diskriminimit nuk është çështje partie, por një realitet që kërkon zgjidhje serioze dhe të qëndrueshme. Prandaj, PVD, ashtu siç ka bashkëpunuar me kryetarët e partive tjera në çështjen e lobimit, duhet të vazhdojë në mënyrë konsistente të punojë në atë drejtim edhe në të ardhmen.
Për Serbinë, PVD-ja është bërë problem politik dhe jo thjesht parti lokale. Sulmet ndaj saj synojnë të diskreditojnë kanalin që e çon çështjen jashtë vendit dhe të krijojnë përshtypjen se “shqiptarët s’janë të unifikuar as vetë”. Këto tendenca synojnë që debati të largohet nga ndërkombëtarizimi i çështjes dhe detyrimet shtetërore, duke u reduktuar në polemika të brendshme.
Në rrethana të këtilla PVD-së i mbetet të jetë e vendosur të vazhdojë veprimet e saj me përgjegjësi institucionale, duke u fokusuar në kauzën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në ruajtjen e besueshmërisë ndërkombëtare.
Bujanoc, 31 janar, 2026
Partia për Veprim Demokratik
Dega në Bujanoc
__________________________
Shërbimi për informim
Viti 2026 tashmë po dëshmohet si vit i rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Presim që në gjashtëmujorin e parë, do të artikulohen zhvillime politike dhe diplomatike që do ta vendosin çështjen tonë në një nivel të ri ndërkombëtar:
Ky proces konfirmoi pjekurinë politike të shoqërisë kosovare dhe forcimin e institucioneve demokratike të shtetit.
Qytetarët e Kosovës folën me zë të qartë dhe të vendosur. Ata ushtruan të drejtën e tyre sovrane duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim, duke dhënë kështu një mesazh të fortë për vazhdimësinë e stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit.
Uroj Kryeministrin në detyrë dhe Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti, për fitoren e madhe dhe besimin e ripërtërirë të qytetarëve.
Kjo fitore përbën një përgjegjësi të shtuar për të vazhduar reformat, forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Po ashtu, uroj të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje për rezultatin e arritur dhe për kontributin e tyre në një proces zgjedhor demokratik, pluralist dhe gjithëpërfshirës.
Lugina e Preshevës pret që të vazhdojë dhe të thellojë koordinimin, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e ngushtë me Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, në funksion të mbrojtjes së të drejtave kombëtare, politike dhe ekonomike të shqiptarëve të Luginës.
Uroj që Kosova të vazhdojë me vendosmëri rrugëtimin e saj euroatlantik, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimin e mëtejshëm politik, ekonomik e shoqëror, si një shtet demokratik, i qëndrueshëm dhe faktor paqeje në rajon.
Bujanoci nuk ia ka borxh sulmet.
Shqiptarët nuk ia kanë borxh etiketimet e përditshme.
Pse Sasha Arsici, këshilltar i Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe pjesë e shumicës në koalicionin multietnik, po tenton të shënjestrojë shqiptarët?
Pse publikoi e më pas fshiu postimin ku akuzonte shqiptarët për mbishkrimet në Sheshin e Qytetit?
Kë përfaqëson ai, që tashmë është shndërruar në figurën më të fuqishme politike brenda koalicionit multietnik?
Pse udhëheqësit shqiptarë heshtin ndaj paraqitjeve të tij shoviniste?
Si ka mundësi që atij t’i pengojnë shqiptarët, ndërsa shqiptarët vetë e mbajnë në pushtet?
Nga buron fuqia e tij politike – mos ndoshta nën hijen e kapelave të zeza?
Pas takimeve zyrtare në Luginën e Preshevës, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm kulturor, ekonomik dhe rinor, me vëmendjen e veçantë të Kryeministrit Edi Rama,
u nënshkrua sot Memorandumi Historik mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, si përfaqësues legjitim i shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky Memorandum forcon diplomacinë kulturore dhe ekonomike shqiptare, duke hapur rrugë për qasje të përbashkët në politikat, programet dhe iniciativat rajonale. Përmes tij synohet nxitja e nismave të përbashkëta, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i inovacionit, si ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të #Diplo2025 – Konferencës së Ambasadorëve, duke i dhënë një dimension të ri diplomacisë shqiptare në shërbim të kulturës, ekonomisë dhe solidaritetit ndërshqiptar.













