Për më shumë se 25 vjet, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë ndjekur një qasje konstruktive në raport me gjendjen në Luginë. Janë përdorur të gjitha mekanizmat demokratikë: pjesëmarrje në zgjedhje, përfaqësim parlamentar, bile edhekundërvënie me armë, dialog institucional, iniciativa ligjore dhe vazhdimisht kërkesa drejtuar qeverisë. Megjithatë, rezultatet konkrete për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve mbeten minimale.
Kjo përvojë e gjatë tregon se problemi nuk qëndron te mungesa e vullnetit për dialog nga pala shqiptare, por te mungesa e gatishmërisë së shtetit për të adresuar çështjet strukturore të diskriminimit.
Dhe kur përpjekjet e vazhdueshme brenda sistemit nuk prodhojnë ndryshim, ndërkombëtarizimi i çështjes bëhet jo vetëm i arsyeshëm, por i domosdoshëm.
Serbia zyrtarisht deklaron synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, në praktikë ajo po ndjek një politikë ekuilibrimi ndërmjet faktorëve gjeopolitik, duke shmangur përmbushjen e plotë të kritereve evropiane, veçanërisht në fushën e të drejtave të pakicave dhe sundimit të ligjit. Ky pozicion i paqartë strategjik reflektohet drejtpërdrejt në stagnimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave nuk janë çështje vullneti politik, por detyrime të qarta që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Kur këto standarde nuk zbatohen, komunitetet e prekura kanë të drejtë legjitime t’i drejtohen mekanizmave ndërkombëtarë për mbrojtje dhe presion politik.
Narrativa se ndërkombëtarizimi “radikalizon” ose “shkakton konflikt” situatën është e pasaktë dhe e dëmshme. Në fakt, ndërkombëtarizimi është mjet për stabilitet, sepse e vendos çështjen në korniza të qarta ligjore dhe politike, duke parandaluar tensionet që lindin nga padrejtësitë e pazgjidhura. Heshtja dhe “pragmatizmi” që nënkupton mosadresim të problemeve reale nuk kanë sjellë stabilitet- përkundrazi, kanë normalizuar diskriminimin.
Në këtë kontekst, ndërkombëtarizimi i çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës është akt dhe thirrje për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Serbisë. Ai synon të rikthejë besueshmërinë e procesit të dialogut dhe të sigurojë që të drejtat e komunitetit shqiptar të mos mbesin peng i kalkulimeve gjeopolitike.
Pas një çerek shekulli përpjekjesh konstruktive pa rezultate të mjaftueshme, është e qartë se ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga brenda. Ndërkombëtarizimi është rruga e vetme për të krijuar presion real, për të rikthyer barazinë dhe për të garantuar që shqiptarët në Luginën e Preshevës të trajtohen sipas standardeve evropiane që Serbia pretendon se i synon.
Derisa Serbia po ecë drejt BE-së me hapin e breshkës, ndërsa vet BE nuk përdor asnjë nga mekanizmat e saj të presionit për nxitjen e përparimit – sidomos në sferën e mbrojtjes të të drejtave të jeriut dhe pakicave -, edhe pse nuk do të heqim drë nga asnjë nga këto procese, Ligji H.R. 6411 mbetet instrumenti më realistik për të shënuar një kthesë serioze për të mirë