Fushata e orkestruar mediale kundër Partisë për Veprim Demokratik përbën një përpjekje të qartë për të goditur përfaqësimin politik legjitim të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për të frenuar zërin e tyre në kërkesat për të drejta dhe barazi.

Përfshirja në këtë fushatë e përfaqësuesve institucionalë shtetëror, përfshirë ministrin kukull për të drejtat e njeriut dhe pakicave,  sikurse edhe individëve të vetëquajtur “të pavarur” por mirë të sinkronizuar me politikat shtetërore, dëshmon për një tendencë të rrezikshme të instrumentalizimit të diskursit publik kundër një subjekti që për dekada ka ndërtuar rezistencë institucionale dhe demokratike.

Për 37 vjet me radhë, Partia për Veprim Demokratik ka qenë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve. Përpjekjet e qëllimshme për të zhvendosur përgjegjësinë nga institucionet që kanë detyrim të garantojnë barazinë në “ndasitë” e spektrit politik shqiptarë, janë në shërbim të shfajsimit të Serbisë që nuk po respekton marrëveshjet e nënshkruara.

Presionet e vazhdueshme janë të papranueshme dhe të dënueshme. Këto praktika nuk do të prodhojnë heshtje, përkundrzi, do të forcojnë vendosmërinë tonë për të vazhduar rrugën e drejtë politike.

Partia për Veprim Demokratik dhe aktivistët e saj deklarojnë qartë dhe pa ekuivok: në rrugëtimin për të drejta dhe barazi, nuk do të frikësohen nga askush. As fushatat e egra, as linçimet publike dhe as presionet publike e  të fshehta nuk do të arrijnë të thyejnë vullnetin për përfaqësim dinjitoz dhe të drejtë.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbia, është e qartë se po tentohet të ndërtohet një klimë frike dhe diskreditimi, për të imponuar një model të rremë “pragmatizmi politik” që në thelb kërkon heshtje përballë diskriminimit. Ky model nuk do të pranohet.

Mbështetja për iniciativa ndërkombëtare si H.R. 6411 është një veprim i drejtë, legjitim dhe i domosdoshëm për të siguruar që çështja e të drejtave të shqiptarëve të trajtohet në nivel ndërkombëtar, në përputhje me standardet universale të të drejtave të njeriut. Etiketimet e politikës së lobimit si “anti-serbe” janë retorikë e vjetruar që nuk mund të fshehë realitetin e problemeve ekzistuese.

Mesazhi ynë për anëtarët e aktivistët është i qartë: qëndroni të fortë, të bashkuar dhe të vendosur. Kauza për të drejta dhe barazi është më e madhe se çdo presion i përkohshëm.

Mesazhi ynë për kundërshtarët është po aq i qartë: përpjekjet për frikësim, manipulim dhe delegjitimim nuk do të kenë sukses. Partia për Veprim Demokratik do të vazhdojë pa u lëkundur rrugën e saj politike, me përgjegjësi, dinjitet dhe përkushtim ndaj qytetarëve që përfaqëson.

Lufta institucionale për të drejta dhe barazi nuk do të ndalet.

Preshevë, Bujanoc, 7 prill, 2026

Partia për Veprim Demokratit

Shaip Kamberi-kryetar