Parlamenti i Republikës së Kosovës ka marrë një vendim me peshë jetike për Luginën e Preshevës, një fond prej 4 milionë euro për vitin 2025, që përkthehet në mbështetje konkrete dhe të prekshme për shqiptarët e Luginës.

Pas aprovimit në Qeveri e tashmë miratimi në lexim të dytë të Parlamentit për këtë fond nuk është thjesht një numër në letër. Është një mesazh i qartë dhe i fortë nga Kosova se shqiptarët e Luginës nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë vetëm!

Këto mjete do të shkojnë aty ku preken përditë zemrat e njerëzve: në arsim, për t’i dhënë fëmijëve tanë një dritare më të gjerë drejt së ardhmes; në kulturë, për të ruajtur dhe promovuar vlerat tona kombëtare; në sport, për të rritur shpresën dhe energjinë pozitive të rinisë; dhe në sektorë kyç që përmirësojnë jetesën e përditshme.

Ky është një hap që shkon përtej politikës, përtej fjalëve, drejt veprës së mirëfilltë në shërbim të shqiptarëve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në këto troje.

Lugina është krenaria jonë e përbashkët, edhe më fuqishëm me Kosovën që po qëndron pranë nesh në këtë situatë të rëndë që po na imponohet nga diskriminimi shtetërorë.