100 ditëshi i parë jashtëzakonisht i dobët. Pa vizion për Bujanocin e pa perspektivë për qytetarin e zakonshëm.
Bujanoci i izoluar nga Shqipëria e Kosova, i kapur e i mashtruar nga partia shtet. Asnjë ndihmë nga Qeveria!
Akumulimi i funksioneve e nepotizmi i treguar për 100 ditët e para nuk ka ndodhur në 23 vitet e qeverisjes së shqiptarëve me Bujanocin.
Në fushatë takonit të rinjët në Gjermani dhe premtonit perspektivë për ta. Në pushtet, nuk po vijnë në rend as të rinjët që jetojnë këtu e që punuan e u angazhuan që t’ju sjellin këtu ku jeni.
Tani kur kaluan 100 ditët e para të qeverisjes tuaj të dobët, është koha të merrni përgjegjësi.
Të zgjidhni sekretarin e kuvendit në radhë të parë. Sepse jeni qeverisja e vetme në rajon që për 100 ditë nuk po arrin të gjejë kuadro për të punuar e përmbushur premtimet e dhëna.
Të emroni për kryeshefa kuadrot e ndryshimit, ndryshim ky që aq shumë e promovuat e që tani, krejt vonë, po e kuptojmë se nuk i keni.
Tani kur kaluan 100 ditët e para të qeverisjes tuaj të dobët dhe kur rinovuat të gjitha zyret e funksionarëve lokal, është koha që t’ia jepni rrogat praktikantëve.
Rroga mujore e një praktikanti është sa një karrigë e juaja e re. Për karrigat patët mjete, për rrogat e praktikantëve jo.
Kultura qeverisëse kërkon transparencë e kultura udhëheqëse kërkon llogaridhënie.
100 ditëshi i parë i qeverisjes, përveç që mund të quhet “muaji i mjaltit” për qeverisjet e reja, është edhe kohë e mjaftueshme për të parë orientimin se ka po shkon e çfarë do të bëjë një qeverisje e re.
Orientimi po shihet. Me Bujanocin më së paku qeverisni ju.
Nisur nga kjo, qytetarët me të drejtë presin të dijnë:
– Cila është marrëveshja politike në bazë të cilës po udhëhiqni me Bujanocin. Pse nuk është publike edhe sot?
– Cilat janë risit të cilat si pushtet i ri i keni sjellur Bujanocit?
– Sa veta janë punësuar në 100 ditëshin e parë të qeverisjes tuaj dhe kush janë ata? Cila është përbërja etnike e të punësuarëve të rinjë?
– Sa prej funksionarëve të ndryshimit kanë akumuluar funksionet dhe pse gjithë kjo heshtje për nepotizmin e familjarizmin që po ndodhë para syve tonë?
– Cilat janë përfitimet që Bujanoci si komunë ka siguruar me përfshirjen e partisë shtet në pushtet?
– Sa takime keni pasur me përfaqësues nga Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë? Pse asnjë?
Nëse qeverisja e juaj do të jetë si kjo e 100 ditëshit të parë, uroj që mos të pres 100 ditëshin e dytë.
Bujanoci meriton më mirë!
/Rahim Salihi